Trajtime te tjera

Mbushjet e Fisurave

Cfarë është mbushja e fisurave?

Mbushja e fisurave është një metodë parandaluese efektive, e cila konsiston në vendosjen e një materiali të vecantë vulosës në fisurat (thellimet) dhe gropëzat e sipërfaqes përtypëse të  paradhëmballëve dhe dhëmballëve duke parandaluar në këtë mënyrë prekjen e tyre nga kariesi (prishja e dhëmbëve).

Pse realizohet ajo?

Faktori kryesor që ndikon në prishjen e dhëmbëve janë bakteret e pranishme në pllakën bakteriale (një biofilm i akumuluar në sipërfaqe të dhëmbëve si pasojë e depozitimit të mbeturinave ushqimore dhe baktereve).  Larja e dhëmbëve realizohet pikërsiht për të eleminuar pllakën bakteriale të depozituar mbi dhëmbë.  Megjithatë në disa raste anatomia e dhëmbëve është e tillë që nuk lejon pastrimin efektiv të sipërfaqes së tyre. I tillë është rasti i  sipërfaqes përtypëse të  dhëmballëve, e cila përmban shumë thellime dhe gropëza në të cilat, vecanërisht kur janë të ngushta e të thella, është e pamundur të depërtojnë qimet e furcës edhe kur ju i lani dhëmbët rregullisht. Pllaka dentare e akumluar aty me kalimin e kohës bëhet shkak për prishjen e dhëmbit dhe shfaqjen e kaviteteve. Pikërisht për të parandaluar  këtë fenomen realizohet mbushja e fisurave me materiale të quajtura silante të cilat mbushin dhe vulosin fisurat e thella dhe krijojnë një sipërfaqe të lëmuar, e cila pastrohet lehtësisht nga furca e dhëmbëve.

Në cfarë moshe duhet të realizohet ?

Në përgjithësi mbushja e fisurave realizohet tek fëmijët,  në dhëmballët e tyre të sapoeruptuara  sipërfaqja përtpëse e të cilave përbëhët nga fisura të thella në të cilat meqënëse smalti është më i hollë se në pjesët e tjera të dhëmbit , risku i prekjes  nga kariesi (prishja e dhëmbëve) është më i madh. Për këtë arsye mosha më e përshtatshme për vendosjen e tyre është ajo 6-7 vjecare, periudhë gjatë së cilës dalin në gojë dhëmballët e para të përhershme, si dhe mosha 11-14 vjecare gjatë se cilës dalin paradhëmballët dhe dhëmballa e dytë e përhershme. Megjithatë silantet mund të vendosen edhe në dhëmballët e të rriturve në rastet kur për shkak të fisurave të thella ekziston rreziku  i shfaqjes së kaviteteve.

Për sa kohë zgjat?

Jetëgjatësia e silanteve të vendosura në sipërfaqet përtypëse të dhëmballëve varion mjaft. Në përgjithësi  një procedurë e mbushjes së fisurave konsiderohet e suksesshme kur silanti qëndron intakt mbi dhëmbë për 3-5 vjet. Megjithatë janë jo të rralla rastet kur silantet e vendosura gjatë fëmijërisë qëndojnë intakte për vite me rradhë dhe mund të vrojtohen në gojë edhe në moshën e rritur. Nga ana tjetër edhe nëse silanti bie përpara se të jene mbushur 3-5 vjet nga vendosja e tij, kjo kurrsesi nuk duhet konsideruar si një insukses, sepse për aq kohë sa është i pranishëm në sipërfaqe të dhëmbit, silanti siguron mbrojtjen e saj nga kariesi. Është e rëndësishme të theksojmë që silanti e realizon rolin e tij mbrojtës dhe profilaktik vetëm nëse ai është plotësisht intakt. Nëse vëreni se një pjesë e tij ose i gjithë silanti është shkëputur nga sipërfaqja e dhëmbit duhet t’ja bëni të ditur këtë dentistit tuaj në mënyrë që ai ta zëvëndësojë atë.

Si  realizohet mbushja e fisurave?

Teknika e mbushjes së fisurave është një procedurë e thjeshtë, pa dhimbje, e cila konsiston në aplikimin e silantit në fisurat e thella të sipërfaqes përtypëse te paradhëmballëve dhe dhëmballëve dhe fortësimin e tij me anë të dritës së llampës halogjene. Konkretisht, hapat që ndiqen janë:

  1. Pastrimi i sipërfaqes përtypëse të dhëmballëve dhe paradhëmballëve me furcë dhe pastë  abrazive për të eleminuar plotësisht pllakën bakteriale duke kijuar në këtë mënyrë kushtet për adezionin optimal të silantit me sipërfaqen e dhëmbit.
  2. Vendosja e acidit në formë xheli në fisurat ku do të aplikohet silanti. Acidi ka veti të “gdhendë” sipërfaqen e smaltit duke krijuar në të parregullsi në të cilat do të depërtojë silanti duke siguruar kështu një adezion dhe retension maskimal të silantit me dhëmbin.
  3. Shpëlarja e acidit, izolimi i dhëmbit nga pështyma dhe tharja e tij.  Pas kësaj etape e në vazhdim, ka një rëndësi të vecantë mbrojtja e dhëmbit nga lagështira, prania e së cilës në sipërfaqe të dhëmbit do të kompromentonte adezionin e silantit  me dhëmbin dhe për pasojë edhe qëndrushmërinë dhe jetëgjatësinë e tij.
  4. Aplikimi i silantit në nivelin e fisurave të dhëmbit  dhe fortësimi i tij me anë e dritës së llampës haolgjene.
  5. Kontrolli në kafshim ( dentisti do t’ju kërkojë të mbyllni gojën dhe të bashkoni dhëmbët me njëri-tjetrin) për të parë nëse silanti ju pengon gjatë mbylljes së gojës apo lëvizjeve të nofullës. Në këtë rast, bëhet eleminimi i tepricës së silantit me frezë. Menjëherë pas vendosjes së silantit mund të ushqeheni  normalisht.

Klinika AlbdentaL. All rights reserved.

© 2024 AlbdentaL. All Rights Reserved. Designed By Oxygen Web Studio